Këta janë vëllezërit që u kapën në operacionin e koduar “HELLI” – U sekuestruan rreth 6 mijë euro drogë në Komoran
Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e dy të arrestuarve në operacionin e koduar “HELLI”, i cili u zhvillua në Komoran dhe u finalizua me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh.
Të dyshuarit janë vëllezërit Meriton Ibriqi, 23-vjeçar dhe Mërgim Ibriqi, 28-vjeçar të cilët dyshohet se merreshin me shitblerje dhe kultivim të narkotikëve.
Sipas hetimeve, Meriton Ibriqi tentoi t’i shmanget ndalimit policor dhe gjatë arratisjes nga vendi i ndaljes ka hedhur nga vetura një qese me rreth 100 gramë marihuanë. Pas këtij veprimi, janë bastisur shtëpitë e tyre me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda.
Në shtëpinë e Mërgim Ibriqit janë gjetur: 300 gr marihuanë, 13 gr kokainë, peshore elektronike, qese për paketim, telefon iPhone 15.
Ndërsa tek Meriton Ibriqi: 660 gr marihuanë në total, 5 bimë kanabisi të gjata deri 30 cm, 740 euro cash, telefon Samsung, qindra qese për paketim.
Vlera e përgjithshme e drogës së sekuestruar arrin në rreth 6,000 euro.
Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga DHTN në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.