Vjedhje e rëndë në Mitrovicën Veriore – Vidhet kafiteria “Pausse”, dëmtim i derës dhe 600 euro para të gatshme

Numri i vjedhjeve është rritur dita ditës në Kosovë. Hajnat përpos që mësyjnë shtëpitë, apo edhe dyqanet e vendet tjera – ata vjedhin edhe nëpër kafeteri, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut, ku një kafiteri është shënjestruar nga persona të panjohur që kanë depërtuar me forcë brenda lokalit dhe kanë grabitur para të gatshme.

Sipas informacioneve të siguruara ngaGazeta Sinjali, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Kral Petri”, ku ankuesja dhe pronarja e lokalit, M. D., 28 vjeçar, ka raportuar se dje, rreth orës 23:25, e kishte mbyllur kafiterinë “Pausse”, ndërsa mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:00, ka vërejtur se dera e lokalit ishte e dëmtuar dhe e hapur me forcë.

Nga brendia e lokalit, personi ose personat e dyshuar kishin marrë rreth 600 euro para të gatshme, përfshirë edhe një shumë të pacaktuar të dinarëve që i përkisnin pazareve të ditës së mëparshme.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë hetimore dhe forenzika, të cilët kanë kryer ekzaminimin dhe kanë nisur procedurat e mbledhjes së provave. Prokurori kujdestar është njoftuar menjëherë, dhe rasti është kualifikuar si “Vjedhje e rëndë”.

Aktualisht personi i dyshuar mbetet i panjohur, ndërsa hetimet janë në zhvillim.

Lexo edhe:  Çfarë fuqie punëtore kërkon konkretisht Gjermania