E ndërpreu martesën, por jo telashet – Ish-burri në Prishtinë ia merr veturën gruas dhe e ndërrojnë për para
Rastet e dhunës ndaj grave në Kosovë nuk po ndalen, e përveç bashkëshortëve aktualë, jo rrallëherë dhuna dhe keqpërdorimet vijnë edhe nga ish-bashkëshortët. Shumë gra që ndihen të kërcënuara apo të mashtruara nga partnerët e tyre të mëparshëm, kërkojnë ndihmën e Policisë për të mbrojtur veten dhe pronën e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Së fundmi, një rast i pazakontë i mashtrimit dhe keqpërdorimit brenda një marrëdhënieje martesore ka ndodhur në Prishtinë, ku një grua ka denoncuar ish-bashkëshortin për veprime të dyshimta që lidhen me pronën e saj.
Gazeta Sinjali mëson se viktima ka raportuar disa ditë më parë se ish-bashkëshorti i kishte marrë veturën me mendimin se ishte i sinqertë. Mirëpo, në vend që ta kthente, ai kishte vendosur ta ndërrojë me një person tjetër dhe kishte përfituar gjithashtu një shumë prej rreth 3 mijë eurosh.
I dyshuari është marrë në pyetje nga Policia dhe ka deklaruar se veturën e ish-gruas e kishte ndërruar me dijeninë e saj në atë kohë, ndërsa paratë i kishte marrë nga një person tjetër, i cili gjithashtu është intervistuar nga autoritetet.
Lidhur me rastin, Prokurori ka urdhëruar që të iniciohet hetim për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Shpërdorim i pasurisë së huaj”, duke theksuar seriozitetin e veprimeve që kanë ndodhur brenda një marrëdhënieje që dikur ka qenë bashkëshortore.