Të moshuarit në Lipjan Policia i gjen granata, kallash e armë tjera me municion në shtëpi, thotë se i ka që nga koha e luftës

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Personat e armatosur zakonisht pasi kapen nga autoritetet, përfundojnë në telashe.

Një rast i tillë është zbuluar dje në fshatin Janjevë të Lipjanit, ku njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e një të moshuari.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit në shtëpinë e 72-vjeçarit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar granata dore, kallashnikovë, pistoletë, karikatorë e fishekë. Ai ka deklaruar se nuk posedon leje për armët në fjalë, mirëpo ato i posedon që nga koha e luftës së fundit në Kosovë.

Kjo ka bërë që i dyshuari të shoqërohet në stacion policor, ku është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës.

Me urdhër të prokurorit, i moshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Lexo edhe:  Mbahet seanca ndaj djalit që vrau nënën e tij në Pejë, pritet t’i caktohet masa e paraburgimit