​Hamza: Ne nuk do të përfshihemi në një asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje

Kandidati për kryeministër nga PDK-ja Bedri Hamza ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re, pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Ai ka deklaruar se LVV ka nxitur urrejtje, kurse opozita bashkim dhe bashkëpunim.

Tutje, Hamza ka thënë se PDK-ja ka dallime të mëdha me VV-në, duke shtuar se ata “duan pushtet absolut dhe s’kanë program”.

“Ne nuk do të përfshihemi në një asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Kemi dallime të mëdha, ata duan pushtet absolute, nuk kanë as program dhe gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi… Ata i ofenduan kundërshtarët e tyre politik e përmes kësaj edhe qytetarët e R. së Kosovës. Ata nxitën urrejtje, kurse ne bashkim dhe bashkëpunim”, tha Hamza.

Tutje ai tha se sot shumica e qytetarëve shqiptarë nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë.

“Vetëvendosja ka humbur një numër të madh të votave. Shumë qytetarë që e kishin votuar tash ia kanë kthyer shpinën. Ata erdhën te ne në PDK dhe në LDK. Kryeministri në detyrë i paraqiti zgjedhjet si referendum për veten, por qëllimi s’u arrit. Ai i kërkoi 500.000 vota, por s’i mori. S’ia dhanë qytetarët. Sot shumica e qytetarëve shqiptarë nuk duan që e njëjta qeveri të vazhdojë. Në këto zgjedhje janë fuqizuar partitë opozitare. Ne s’do të përfshihemi në asnjë koalicion me LVV-në”, është shprehur ai.

“Opozita mund ta bëjë qeverinë e re, nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk mundet”, shtoi ai

Lexo edhe:  Prindërit i dolën kundër lidhjes me një 28-vjeçar, e mitura raporton se babai e rrahu