Bedri Hamza nga takimi me bizneset: Bizneset, shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka shprehur vizionin e tij për mbështetjen dhe fuqizimin e biznesit në vend në takimin e tij të sotëm me përfaqësues të bizneseve, shkruan “Mitropol”.
Duke i cilësuar bizneset si forca kryesore e zhvillimit ekonomik, Hamza ka theksuar rëndësinë e tyre në krijimin e vendeve të punës dhe mbajtjen e shtetit përmes kontributit të tyre në tatime dhe inovacion.
“Bizneset janë forca e zhvillimit të ekonomisë. Janë punëdhënësit më të mëdhenj në vendin tonë. Jemi popull ndërmarrës, me biznese konkurruese që krijojnë vende pune, paguajnë tatime dhe e mbajnë shtetin me punën, përkushtimin dhe inovacionin e tyre,” ka shkruar Hamza.
Ai ka theksuar se pas 9 shkurtit, me fitoren e tij si kryeministër, do të angazhohet për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për të gjitha bizneset, duke përfshirë ato të vogla familjare dhe korporatat që eksportojnë produkte “Made in Kosova.” Hamza premton mbështetje të plotë për sektorin privat, duke e cilësuar këtë si çelës për ndërtimin e një Kosove më të mirë.
“Pas 9 shkurtit është koha për një Kosovë ma të mirë, ku prej bizneseve të vogla familjare që mezi po mbijetojnë e deri te korporatat e mëdha që eksportojnë prodhimet ‘Made in Kosova’, do ta gëzojnë mbështetjen time të plotë si kryeministër,” ka shtuar ai.
Me sloganin “Kosova mundet ma mirë! Vendosni #MaMirë!” Bedri Hamza i bën thirrje qytetarëve që të mbështesin platformën e tij politike dhe ekonomike, duke premtuar një Kosovë më të zhvilluar dhe të begatë për të gjithë.
Ky mesazh shpreh qartazi përkushtimin e kandidatit për të ndërtuar një qasje të re ekonomike, e cila mbështetet mbi kreativitetin dhe përkushtimin e sektorit privat./Mitropol/