13 persona morën ndihmë mjekësore – nuk dihet ende çka çoi deri te zjarri i mbrëmshëm në një ndërtesë në Prishtinë
Një ndërtese e “Lesna-s” në lagjen Kalabria në Prishtinë është përfshirë mbrëmë nga zjarri.
Në media u publikuan pamje të banorëve duke u evakuuar. Zjarrfikësit i kanë nxjerr disa prej tyre banorëve nëpërmjet ballkoneve. Shkaku i zjarrit nuk është bërë i ditur ende. Trembëdhjetë persona kanë marrë ndihmë mjekësore.
Kështu ka bërë të ditur për gazetën online Reporteri.net, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se tashmë zjarri është vënë nën kontrollë.
“Aktualisht situata është vënë nën kontrollë, zjarri është lokaluzuar nga ana e zjarrfikësve.Bazuar në të dhënat aktuale numri i personave që u është ofruar tretman mjekësor arrinë në trembëdhjetë (13). Për detajet rreth rastit do të njoftoheni pas përfundimit të ekzaminimeve të nevojshme hetimore e procedurale nga institucionet kompetente.”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, Abdusamet Shkodra, zëvendëskomandant i zjarrfikësve, ka folur pas evakuimeve të disa banorëve në lagjen “Emshir” të Prishtinës.
Ai tha se janë zjarrfikësit kanë bërë atë për të cilën janë të thirrur, duke shtuar se gjendja tash është nën kontroll.
“Kemi marrë informatën se është duke u dhezur një veturë në lagjen “Emshir”. Ekipet e zjarrfikësve menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar me fikjen e zjarrit. Në garazhën e ndërtesave kanë qenë duke u dhezur dy vetura, të cilat kanë qenë të pozicionuara në garazhë. Ekipet menjëherë kanë bërë edhe fikjen e zjarrit, por kanë bërë edhe evakuimin e qytetarëve, të cilët kanë qenë në ndërtesë, pra ata që kanë pasë nevojë. Diku 15 persona janë evakuuar prej ndërtesës”, ka deklaruar ai.
“Vështirë ka qenë, por ne jemi të thirrur, edhe profesional t’i bëjmë këto evakuime. Ekipet janë shpërnda gjitha drejtimet, kanë bërë evakuimin me shkallë, dhe çdo gjë tash është nën kontroll”, ka thënë ai.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili është shprehur i lehtësuar që nuk ka pasur viktima.
“Bashkëndjej me banorët e lagjes “Emshir” pas zjarrit që përfshiu disa prej banesave. Ndihem jashtëzakonisht i lehtësuar që nuk pati viktima dhe shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj ekipeve të zjarrfikësve, policisë dhe emergjencës, të cilët me reagimin e tyre të shpejtë dhe profesionalizmin e lartë shpëtuan jetët e qytetarëve. Së bashku me drejtorin për Siguri dhe Emergjenca Lulzim Fushtica, ishim në vendin e ngjarjes për të parë nga afër dhe për të vlerësuar nevojat e banorëve dhe përpjekjet e ekipeve të angazhuara në terren. Profesionalizmi dhe humanizmi i tyre mbeten një shembull për të gjithë ne”, shkroi Rama.
Shkaqet e zjarrit nuk janë bërë të ditura ende