E rëndë: 61-vjeçari në Obiliq arrestohet për dhunimin e 43-vjeçares me të cilën bashkëjetoi
Rastet e ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale ndaj grave në Kosovë kanë marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë te rejat të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona kryesisht të moshës madhore, por të tilla ngjarje ka pasur edhe te çiftet që bashkëjetojnë e madje kanë edhe fëmijë. Kështu dyshohet se ndodhi së fundmi në Obiliq, ku Policia arrestoi një person.
Këtë herë, i dyshuar është një burrë i moshës 61-vjeçare, i cili ka përfunduar në prangat e Policisë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Sinjali ka mësuar se i njëjti po dyshohet se e ka keqpërdorur seksualisht gruan me të cilën kanë bashkëjetuar para një kohë, duke kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj.
Rasti u zbulua pasi viktima, e moshës 43-vjeçare, u trajtua në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq, ku edhe u ngritën dyshime nga ekipi mjekësor se gruaja është dhunuar seksualisht.
Si rezultat, të njëjtat burime kanë bërë me dije se Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe ka siguruar prezencën e të dyshuarit.
Burri 61-vjeçar është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit, që pritet të zbardhë rrethanat e rastit.