44-vjeçari në Vushtrri sulmon seksualisht një vajzë të mitur në Vushtrri, bie në prangat e Policisë
Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Për këtë fenomen shqetësues këtë muaj ka pasur reagimeve të shumta, pas disa ngjarjeve që tronditën vendin.
Në shumë nga rastet viktima janë vajzat e mitura, të cilat kërkojnë mbrojtje dhe ndihmë nga Policia. Një ngjarje e rëndë ka ndodhur edhe në fshatin Lum i Madh në Vushtrri, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ka qenë vetë vajza ajo e cila ka denoncuar rastin në Polici.
Bazuar në dëshminë e saj, gjithë ngjarja ka ndodhur dje në veturën e 44-vjeçarit, i cili dyshohet se gjatë rrugës nga Lumi i Madh deri në Vushtrri e ka sulmuar seksualisht të miturën.
I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm seksual’.