Lushtaku i përgjigjet Kurtit për ‘goditjet’ ndaj biznesit të nipit të tij

Sami Lushtaku e ka cilësuar “të motivuar politikisht” denoncimin e bërë nga kryeministri Albin Kurti ndaj kompanisë “Security Code”, e cila është në bashkë-pronësi të nipit të tij, Milazim Lushtakut.

Në një deklarim për gazetën Nacionale, Lushtaku i cilësoi si sulme “të motivuara politikisht” komentet e kryeministrit ndaj kompanisë e cila është përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Edhe Serbia qishtu na ka ndjek si Albin Kurti”, tha Lushtaku. “Ai është marrë me këtë kompani për shkakun tim, normal”.

Kurti e ka bërë përgjegjëse kompaninë “Security Code” për dështim në kryerje të detyrave në rastin e djegies së veturës së drejtorit të auditimit në ShSKUK, Musa Vitisë.

Kurti ka thënë se përgjegjëse për djegien e veturës së Vitisë janë edhe dy kompani sigurimi që ishin përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave në kryerjen e detyrës.

Njëra prej tyre, “Security Code”, është në pronësi të Milazim Lushtakut, kushëririt të Sami Lushtakut, funksionarit të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin”, ka thënë Kurti.

Lexo edhe:  Suharekë: Persona të panjohur kërkojnë qyp me lira në oborr të huaj