Prishtinë: I riu kapet me armë zjarri dhe thikë në veturë, arrestohet dhe përfundon në ndalim policor

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre.

Ata shpesh kapen në flagrancë me armët, me të cilat sillen lirshëm.

Një rast i tillë është zbuluar në rrugën “Ahmet Gashi” në Prishtinë, teksa Policia po patrullonte dhe ndaloi për kontroll një veturë.

Sinjali mëson se gjatë kontrollit policor, Policia ka gjetur një armë zjarri dhe një armë të ftohtë (thikë) – që i dyshuari 29-vjeçar i mbante pa autorizim.

Armët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit policorë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në 7.500 euro ose me burgim deri në 5 vjet.

Lexo edhe:  Vdes një femër në shtëpinë e pleqve