Deliu për të mbijetuarin e masakrës së Abrisë: Testament i qëndrueshmërisë, shpresës dhe dashurisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kujtuar masakrën e Abrisë së Epërme të Drenasit, po më veçanërisht ka shkruar për Albert Deliun, të riun që u përballë me këtë ngjarje të trishtë.

Deliu-Kodra shprehet se Albert Deliu ‘shquhet si testament i gjallë i qëndrueshmërisë, shpresës dhe dashurisë’.

“Albert Deliu ishte vetëm dy vjeç atë mëngjes të trishtë të 26 shtatorit që u përgjak nga vrasja e nënës, motrave dhe 20 anëtarëve të tjerë të familjes, nga kriminelët serbë. Ishte shumë i vogël, por mbi krahët e njomë prej fëmije mbante peshën e rëndë të tragjedisë. Pavarësisht gjithçkaje që ka duruar, optimizmi i tij është ngjitës dhe rrezatues. Në çdo fjalë që ai thotë, dëgjon jehonën e ëndrrave të parealizuara të familjes së tij, por edhe një vullnet sfidues për të jetuar për ta. Ai qesh jo veç për veten e tij, por edhe për motrat, jeta dhe ëndrrat e të cilave u prenë padrejtësisht në gjysmë. Çdo hap që ai hedh është një akt përkushtimi ndaj kujtimit të familjes – si premtim i heshtur për t’i bërë ata krenarë”, ka shkruar Deliu-Kodra.

“Faleminderit Albert, që gjete forcën dhe zgjodhe të qëndrosh shtatlartë – për të çuar emrin e familjes përpara, me dashuri, me shpresë dhe me nder! Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Kosovës!”.

 

Lexo edhe:  Vdes ish punëtori i Trepçës nga Skenderaj dhe prijësi i demostratave në vitin 1981