Presidentja Osmani: Serbia po nxitet nga Rusia, ne duhet ta forcojmë mbrojtjen

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për median polake TVP World, është shprehur e shqetësuar për ndikimin e Rusisë te Serbia dhe pasojat që mund t’i ketë Kosova.

Sipas Osmanit, Rusia dëshiron të “hapë një front të ri kundër Perëndimit”, duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor, me ç’rast ajo tha se Kosova duhet ta forcojë mbrojtjen.

“Është thelbësore që Kosova të punojë krah për krah me aleatët, me partnerët nga bota demokratike, për t’u siguruar që ne të ndalojmë këto nisma destabilizuese nga Serbia, të ndihmuara dhe të nxitura nga Rusia, dhe në të njëjtën kohë të forcojmë mbrojtjen tonë në mënyrë që kur Serbia që ka qëllime për të na kthyer të gjithëve në të kaluarën, ne mund të vetëmbrohemi dhe të vazhdojmë të kontribuojmë për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë e më gjerë”, ka potencuar ajo.

Presidentja po ashtu ka thënë se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë lidhjet e saj të forta ekonomike, kulturore dhe historike me Serbinë për të ushtruar ndikim në një rajon që është ende në një gjendje fluksi.

“Unë besoj se ka shpresë për një Ballkan Perëndimor që përfundimisht të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, deklaroi ajo.

Mes tjerash, Osmani gjithashtu tha se Kosova është viktimë e agresionit serb.

“Serbia është kthyer në shtetin më të fortë të Putinit në Evropë. Dhe pastaj është Kosova dhe vendet e tjera të rajonit që janë vazhdimisht viktima të akteve të agresionit nga Serbia”, u shpreh Osmani për TVP World.

Lexo edhe:  Për 300 vende të hapura për rekrutë të rinj, kanë aplikuar 1658 persona