Zbulohet identiteti i të dyshuarit që shtiu me armë në Ferizaj, dyshohet edhe për dhunë në familje

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr. Disa të shtëna janë dëgjuar edhe mbrëmë në Ferizaj, me ç’rast është arrestuar një person i dyshuar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për 69-vjeçarin, Adem Lika.

Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në garazhin e shtëpisë së Likës, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri me karikator dhe fishekë, teksa në oborr janë gjetur edhe gëzhojat që dyshohet të jenë të armës në fjalë.

Po ashtu, të dyshuarit i është gjetur edhe një armë tjetër e zjarrit bashkë me karikator dhe fishekë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

Lika, i cili është denoncuar edhe për dhunë në familje, është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprat penale ‘Dhunë në familje’, ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar per shkak te dyshimit se ka kryer veprat e lartcekura. Dyshohet se idyshuari e kishte përdorur armën pasi që janë gjetur edhe gëzhojat, megjithate nuk kishte persona te lenduar. Janë sekuestruar një revole Gllock 17 me 11 fishek te kalibrit 9 mm, po ashtu tek i dyshuari është sekuestruar një pistolet e modifikuar (Sig Sauer dhe Zoraki) me 4 fishek kalibër 7.65 mm. Me urdhër te prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe:  Komuna e Drenasit shpall konkurs për 8 vende të lira të punës [DOKUMENT]