VV: Dikur Radojçiqit i hiqej fletarresti, tash e kërkon INTERPOL-i

Lëvizja Vetëvendosje ka “goditur” partitë opozitare lidhur me shtimin në listën e kërkimit nga Interpoli të Milan Radoiçiq.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të Vetëvendosjes, thuhet se dikur Radojçiq endej me vetura zyrtare e i largohej fletarresti, por sot i janë konfiskuar të gjitha dhe i është lëshuar urdhërarrest nga Interpoli.

“Dikur në Prishtinë endej me vetura zyrtare, sot në veri i është konfiskuar gjithçka e madje edhe villa me barkë. Dikur në Prishtinë i largohej fletarresti, sot me kërkesë nga Prishtina i lëshohet urdhërarrest edhe nga Interpoli. Dallimi është evident. Nuk ka më kompromis me krimin e në dëm të Republikës”, thuhet në reagim e VV-së”, thuhet në postim.

Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë. Fletarrestimi është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Millan Radoiçiq, i cili doli publikisht se i priu grupit që organizoi sulmin terrorist në Banjskë tashmë ka zënë vend në listën e personave të cilët kërkohen nga INTERPOL-i.

Radoiçiq dyshohet për vepra të ndryshme, të cilat ndërlidhen edhe me terrorizëm, ndërsa fletarresti i lëshuar ndaj tij bazohet në dy vendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lexo edhe:  I ekspozuan në rrjete sociale – Policia sekuestron dy armë