Vushtrriasi ia kris armës në dasmën e organizuar në oborr, Policia shkon si ‘mysafir’
Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve. Kështu zgjodhi të festojë edhe një person dje në Vushtrri, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në fshatin Navolan, ku po mbahej një aheng familjar në oborrin e një shtëpie, ku u dëgjuan të shtënat me armë.
Sipas informacioneve të para, kryefamiljari ka gjuajtur me armë në shenjë gëzimi, duke rrezikuar kështu edhe dasmorët.
Posa Policia u njoftua për rastin, ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast është sekuestruar arma e përdorur, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj secilit veç e veç është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.