Tmerrohen klientët e frizer “Quick” në Shatërvan të Prizrenit: Një person futet me thikë dhe ua mësynë

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme. Vjedhjet, grabitjet, përleshjet në hapësira të mbushura me njerëz janë vetëm disa nga incidentet që ndodhin pothuajse çdo ditë në vendin tonë. Rreziku që u kanoset qytetarëve është i madh, siç ka ndodhur të shtunën në Sheshin Shatërvani në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se një 26-vjeçar ka tmerruar klientët e një lokali, ku në orët e pasdites kishte hyrë me një thikë, duke iu drejtuar atyre, për motive akoma të panjohura.

Gjithçka ndodhi te frizeri ‘Quick’, kur i dyshuari A.B., (emër i njohur për redaksinë) hyri papritmas në lokal, derisa dikush ndërhyri dhe ia morën thikën me të cilën ua mësyu personave që ndodheshin brenda dhe u njoftua Policia.

Sipas informacioneve të para, posa ka intervenuar Policia, mjeti i mprehtë është sekuestruar, e po ashtu te i dyshuari është gjetur edhe një sasi e substancës narkotike dhe një mulli për bluarjen e drogës.

Provat që u gjetën në vendin e ngjarjes janë sekuestruar si dëshmi lidhur me rastin, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

Lexo edhe:  I jepet lamtumira e fundit infermieres Fitore Zenelaj