Vuçiq i thotë JO vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, dhe njohjes së Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia nuk do të rreshtohet me Bashkimin Evropian për çështjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe se nuk do ta pranojë kërkesën për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë.

Kjo deklaratë e Vuçiq erdhi menjëherë pasi Parlamenti Evropian gjatë ditës së djeshme miratoi një rezolutë për Serbinë, e cila rekomandon hapjen e kapitujve të rinj të negociatave me Serbinë kur ajo të përafrojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shpreh keqardhjen që Serbia nuk është rreshtuar me sanksionet kundër Rusisë.

Rezoluta përmend për herë të parë njohjen reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, dhe u bën thirrje të dyja palëve që të arrijnë një marrëveshje për normalizim “në bazë të njohjes reciproke”.

Vuçiq po ashtu gjatë ditës së djeshme ka mohuar se mund të ketë një takim të nivelit të lartë në Bruksel mes tij dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, para pushimeve të verës.

I pyetur rreth raportimeve në Kosovë se një takim i tillë mund të zhvillohet gjatë këtij muaji, Vuçiq ka mohuar se kjo mund të ndodhë, transmeton Reporteri.net.

Ishte vetë i ngarkuari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ai që gjatë vizitës në Kosovë kishte paralajmëruar një takim të tillë të mundshëm.

Lajçak u shpreh se beson se ka një momentum të mirë për takim ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuҫiq.

Ai në vizitën e fundit qëndroi ditë në Kosovë ku takoi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të partive politike opozitare dhe vizitoi disa rajone të Kosovës.

Vizita në Kosovë e të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi u zhvillua vetëm pak ditë pasi Prishtina dhe Beogradi jetësuan një marrëveshje për energjinë për veriun e Kosovës të nënshkruar në vitin 2013. Lajçak nga Kosova paralajmëroi marrëveshje të reja Kosovë-Serbi.

Lexo edhe:  I riu nga Kosova rekrutohet nga forcat ajrore amerikane