Vrasje në tentativë në Podujevë, plagoset me armë zjarri një 17-vjeçar – të dyshuarit në arrati

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’ në Podujevë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë kanë bërë me dije se 17-vjeçari është dërguar atje me plagë të cilat dyshohet t’i jenë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Pas dhënies së ndihmës së parë dhe për shkak të natyrës së lëndimeve, i mituri është transportuar me urgjencë për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Aktualisht gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe ai po vazhdon trajtimin e mëtutjeshëm mjekësor nën përkujdesjen e stafit mjekësor.

Sinjali mëson se lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, dy gëzhoja dhe disa fishekë.

Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar vëllai i viktimës, i cili ka deklaruar se 17-vjeçari gjatë ditës së djeshme është kërcënuar përmes telefonit dhe më pas bashkë kanë shkuar te shtëpia e të dyshuarve për të marrë vesh se cila është arsyeja e veprimeve të tyre.

E atje ata kishin pasur një konflikt verbal me njërin prej të dyshuarve,  e që më pas situata ka eskaluar në sulm fizik.

Bazuar në dëshminë e vëllait të viktimës, njëri nga të dyshuarit ka goditur të miturin me kondak të armës, ndërsa nga ballkoni i shtëpisë kanë ardhur disa të shtëna të cilat i shkrepi i dyshuari tjetër, e prej ku ka mbetur i plagosur 17-vjeçari.

Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarve, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të substancës së dyshuar narkotike, ndërsa dy vëllezërit që dyshohen për ngjarjen e rëndë janë larguar në drejtim të panjohur.

Lexo edhe:  Ky është personi që u arrestua pasi dyshohet se theri me thikë një person në Prizren

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’ dhe veprimet tjera ligjore do merren posa të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarve.