Rrahja e të moshuarës në Pejë, prokurori i rastit jep detajet e fundit për ngjarjen

Prokurori i rastit që po e trajton rrahjen e të moshuarës në Pejë, Dorjan Juniku, ka dhënë detaje të reja për ngjarjen.

Ai ka treguar se dy të dyshuarat vazhdojnë të intervistohen në Stacionin e Policisë.

Para gazetarëve, Juniku tregoi se njëra nga të arrestuarat dyshohet për sulm, e tjetra për dhënien e ndihmës.

“Pas pranimit të informacionit të parë me ngjarjen që ka ndodhur, nga Kryeprokurori Kurmehaj, jemi angazhuar ashtu që pas marrjes së autorizimeve kemi vazhduar me veprimet ligjore, në mënyrë intensive dhe efikase bashkë me njësitet policore kemi arritur të arrestojmë dy të dyshuarat me inicialet A.P dhe A.R që kanë kryer veprën Sulm, dhe dhënia e ndihmës në sulm”, tha prokurori Juniku.

“Në këtë fazë jemi duke punuar e ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, që nuk do të thotë që nuk zgjerohemi edhe tek subjektet e tjera që janë involvuar në këtë vepër penale. Ne nuk kemi informacione për gjendjen e të moshuarës, na duhet edhe një deklaratë e saj, për çdo gjë do të njoftoheni me kohë”, tha ai.

“Të dyshuarat janë duke u intervistuar në stacionin policor në Pejë. Deri më tani nuk kemi pasur raste të ngjashme, por kjo nuk do të thotë se nuk kanë ndodhur”, përfundoi prokurori Dorjan Juniku.

Lexo edhe:  Momenti kur doktoresha mbulon trupin e viktimës