Vrasja në ‘Bon Vivant’ – Dukagjin Nikollaj i pakapshëm për shtetin, qe gati 5 muaj në arrati

I kërkuari nga FBI-ja, Dukagjin Nikollaj, i njohur si ‘Duka’, i përfshirë në tragjedinë e 4 gushtit në kafeterinë “Bon Vivant” në Prishtinë, akoma ndodhet në arrati.

Duka – qe gati 5 muaj është i pakapshëm për shtetin, përkundër që u shpall në kërkim. Organet e rendit akoma nuk kanë arritur ta sigurojnë prezencën e tij.

Gazeta Sinjali është interesuar për të marrë informacione në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për hetimet që po zhvillohen për këtë rast dhe detajet me interes për publikun.

Por nga Prokuroria vetëm e kanë konfirmuar se Nikollaj ende nuk është kapur, por që “po punohet” për arrestimin e tij.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se personi për të cilin keni shprehur interesim akoma ndodhet në arrati.

Prokuroria në koordinim me policinë janë duke punuar për arrestimin dhe sigurimin e prezencës së të dyshuarit në procedurën penale, ndërkaq rasti ndodhet në hetime.” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Sinjalin.

‘Duka’ u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës një javë pas krimit që tronditi kryeqytetin dhe deri më sot ka arritur të shpëtojë nga prangat, duke qëndruar në arrati.

Dukagjin Nikollaj është i kërkuar edhe nga FBI, si i dyshuar për pjesëmarrje në bandën “Krasniqi Organization”.

Lexo edhe:  Përleshja me thika në Vushtrri, ky është i riu që dyshohet se theri disa herë 25-vjeçarin