Vojvoda i përgjigjet gazetarit rumun: Në zemrën tonë është flamuri i Kosovës, ne e dimë se kush jemi

Mbrojtësi i Kosovës Mërgim Vojvoda, iu kundërpërgjigj një gazetar rumun i cili bëri një pyetje provokative.

Gazetari e pyeti Vojvodën gjatë një konference për media rreth mesazheve politike të tifozëve rumunë, të cilët në ndeshjen e parë ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri” kishin shfaqur një mesazh skandaloz ku thuhej: “Kosova është Serbi”.

Ai tha se në fanellë nuk e bartin flamurin e Serbisë por të Kosovës.

“Ju vetëm shikojeni flamurin që kemi në zemër, në logon tonë. Nuk e kemi flamurin e Serbisë, por të Kosovës. Kjo nuk ndryshon për asnjë send. A thotë Rumania a jo. Ne e dimë kush jemi. Jemi të lindur prej lufte edhe kemi me u bo ma të fortë se guri”, tha ai.

Nesër me fillim nga ora 20:45, kombëtarja e Kosovës e luan një ndeshje tejet të rëndësishme kundër Rumanisë në “Nationala Arena”, në kërkim të kualifikimit në “Euro 2024”.

Me fitore eventuale “Dardanët” do të rrisnin gjasat për të ecur drejt Gjermanisë ku edhe mbahet kompeticioni në fjalë.

Pas pesë ndeshjeve të para, Rumania ka mbledhur nëntë pikë dhe është e dyta në renditje kurse, Kosova është e pesta me katër pikë.

Kombëtarja e Kosovës e pati zhvilluar një ndeshje në muajin qershor.

Loja e zhvilluar në “Fadil Vokrri” u mbyll baraz, pa gola.

Lexo edhe:  Bedri Hamza viziton familjen e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit për Bajram