Vodhën mbi 120 litra naftë nga ekskavatorët, këta janë të dyshuarit që u kapën në flagrancë në Lupç të Podujevës

Katër persona kanë përfunduar dje në prangat e Policisë në Podujevë, të cilët janë kapur në flagrancë, nën dyshimet se kanë kryer vjedhje në fshatin Lupç. Rasti ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Podujevë, ku nga ekskavatorët (që po kryejnë punimet në atë zonë), të dyshuarit kanë arritur të marrin sasi të ndryshme të derivateve.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 19-vjeçarin Rron Kastrati dhe tre të mitur, A.R., E.B., dhe A.N., (emra të njohura për redaksinë) të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Ata po dyshohen se për dy ditë me radhë, në orët e para të mëngjesit, kanë arritur të vjedhin mbi 100 litra naftë, që e kanë nxjerrë nga makineritë që ndodheshin në fshatin Lupç.

Sinjali mëson se të dyshuarit janë kapur nga Policia teksa po kryenin vjedhjen, me ç’rast të njëjtit janë ndaluar dhe më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Bazuar në dëshminë e tyre, të dhënë para hetuesve policorë, derivatet që janë vjedhur i kanë shfrytëzuar për automjetin e tyre dhe nuk kanë pasur ndonjë qëllim tjetër.

Si pasojë e veprimeve të kundërligjshme, Policia ka sekuestruar veturën e të dyshuarve, ndërsa të njëjtit janë dërguar në mbajtje.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit për veprën penale “Vjedhje” dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.

Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia e Kosovës.

Lexo edhe:  Rrahen mes vete shqiptarë e serbë, bëhen "kërrsh" dy grupe