Vodhën 180 thasë pelet në ‘Gorenje’, arrestohen dy persona në Lipjan

Një fenomen mjaft shqetësues në Kosovë janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane të qytetarëve, duke shkaktuar humbje e pasiguri.

Një rast i tillë së fundi ka ndodhur edhe në qendrën tregtare ‘Gorenje’, ku dy persona dyshohet se kanë vjedhur thasë me pelet.

Sinjali mëson se të dyshuarit u zbuluan pasi një patrullë e Policisë i ka vërejtur ata në orët e para të mëngjesit, duke lëvizur me një veturë të dyshimtë. Pasi e ndalën për kontroll në rrugën ‘Ibrahim Rugova’ në Lipjan, në veturën e të dyshuarve Policia ka gjetur rreth 80 thasë me pelet.

Njëri nga të dyshuarit ka pranuar para policëve se i kanë vjedhur ato në Gorenje, teksa njësitet policore kanë shkuar në shtëpinë e tij për të kryer bastisje, ku kanë gjetur edhe rreth 100 thasë tjerë me pelet.

Që të gjithë thasët janë kthyer në pronësi të kompanisë, ndërsa dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe të njëjtit do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje’.

Lexo edhe:  Shkyçet nga shërbimet e ujit një shtëpi luksoze me mbi tre mijë euro borxh në Llapasnellë