Vjosa Osmani dhe Albin Kurti nisen për Francë, kryeministri pritet të takohet edhe me Vuçiqin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron do të marrin pjesë në Forumin e Paqes në Paris.

Osmani është ftuar së bashku me zotrinë e parë, Prindon Sadriu ndërsa Kryeministri Kurti do të udhëtojë për në Paris së bashku me gruan dhe vajzën e tij

Në komunikatën për media thuhet se përgjatë këtij forumi,Osmani do të merr pjesë në pritjen e organizuar nga presidenti Macron për liderët botërorë, e po ashtu do t’i drejtohet panelit të diskutimit mbi bashkëpunimin në kohë kritike për kontinentin, bashkë me presidenten e Hungarisë, Katlin Novák, si dhe Jean-Marie Guéhenno.

Krahas aktiviteteve të forumit, presidentja Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë tjerë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave aktuale të paqes dhe sigurisë.

Ndërsa kryeministri Kurti, përmes një video-mesazhi ka bërë të ditur se përveç punimeve dhe darkës mund të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili po ashtu është ftuar në Paris.

Edicioni i pestë i Forumit të Paqes në Paris do të mbledhë liderë nga mbarë bota, si dhe përfaqësues të lartë të organizatave ndërkombëtare, bizneseve, bankave zhvillimore për të diskutuar eliminimin e krizave të shumëfishta globale, duke promovuar forcimin e bashkëpunimit dhe multilateralizmit.

Lexo edhe:  Aksident i rëndë në Komoran