Vjedhje në Thesarin e Shtetit – Shoferi kapet duke vjedhur letër të bardhë

Një vjedhje e lehtë ka ndodhur sot në Ministrinë e Financave përkatësisht në departamentin e Thesarit të Shtetit, ku në pranga ka përfunduar një shofer i administratës. I njëjti kishte vjedhur letra të printerit që kapnin vlerën e më pak se 10 eurove. Rasti tashmë është raportuar në Policinë e Kosovës.

Një shofer i Thesarit të Shtetit është kapur duke vjedhur një tubë me letra të bardha në institucionin ku punonte.

Shoferi që vodhi letrat e printerit në Thesarin e Shtetit është A.A. I njëjti është suspenduar sot nga puna në këtë institucion.

Vlera e letrave të vjedhura nga shoferi i administratës së Thesarit është më pak se 10 euro.

Kështu kanë konfirmuar për Insajderi nga Thesari i Shtetit, të cilët në përgjigjen e tyre thanë se çdo shkelje merret seriozisht dhe rasti ka shkuar në organet e rendit.

“Një shofer i angazhuar në administratë ka përvetësuar një tubë me letra të bardha të printerit, në vlerë më pak se 10 euro. Përkundër vlerës së vogël, në institucionin tonë çdo shkelje merret seriozisht dhe e kemi raportuar ne organet e rendit të cilat janë marrë me rastin’, thuhet në përgjigjen e Thesarit.

Gazeta ka dërguar pyetje edhe ne Policinë e Kosovës për të mësuar detajet e rastit, po të njëjtit nuk kane kthyer përgjigje deri në publikimin e lajmit.

Lexo edhe:  Erëra të forta sot në Prishtinë, komuna thotë se do të sjellin dëme materiale