Presidentja Osmani viziton Skënderajn, Mitrovicën dhe Klinën, ofron mbështetjen institucionale

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, pas përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet intensive, ka vizituar komunat: Klinë, Skënderaj dhe Mitrovicë.

Zyra e Presidencës ka njoftuar se Presidentja Osmani ka qenë në kontakt që nga mbrëmë me kryetarët e këtyre komunave, Zenun Elezaj, Fadil Nura dhe Bedri Hamza, me të cilët është takuar edhe sot.

Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet.

“Presidentja Osmani ka vizituar biznese dhe ekonomi familjare, të cilat kanë pësuar nga vërshimet. Në këtë frymë, Presidentja ka kërkuar nga strukturat e sigurisë dhe të emergjencave, të angazhohen maksimalisht për t`u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për t`i zvogëluar pasojat e krijuara nga kjo situatë e jashtëzakonshme.

Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t`u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë”, është shprehur Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani në të tri komunat ka ofruar mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, ndaj nevojitet angazhim dhe solidaritet i të gjithëve në një situatë të tillë.

 

Lexo edhe:  Hajnat bëjnë kërdi në një lokal në Prishtinë, vjedhin rreth 30 mijë euro para të gatshme