Vjedhje e rëndë në qendrën tregtare “A&N” në Prizren, hajnat vjedhin rreth 25 mijë euro pazar ditor

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese.

Marketet e qendrat tregtare shumë shpesh janë cak i hajnave, të cilët herë vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur në qendrën tregtare “A&N” në Korishë të Prizrenit, ku hajnat kanë arritur të kryejnë vjedhje dhe të kapin një shumë të majme parash.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima që e denoncoi rastin në Polici, ka raportuar se nga kasaforta janë vjedhur rreth 25 mijë euro pazar ditor i qendrës.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, hajnat kanë depërtuar me forcë brenda zyrës, ku kanë avulluar paratë dhe më pas janë larguar.

Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia është aktivizuar dhe ka kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e rëndë” dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

Lexo edhe:  Ngriten temperaturat: Parashikimi i motit për sot dhe nesër