Vjedhja e pesë veturave në Gjakovë, arrestohen dy të dyshuar 

Mbrëmë u raportua për vjedhjen e tri veturave në lokacione të ndryshme në qytetin e Gjakovës. Pas denoncimeve të pronarëve të veturave, Policia është vënë në lëvizje, me ç’rast janë gjetur automjetet e vjedhura dhe janë identifikuar dy të dyshuar.

Policia njofton se në orët e para të mëngjesit të sotëm, janë identifikuar dy persona, të cilët dyshohet se janë përfshirë në rastet e vjedhjeve të tri veturave.

Përmes një komunikate për media, bëhet editur se të dyshuarit fillimisht kanë shkaktuar vetëaksident me njërën nga veturat e vjedhura dhe pastaj e kanë braktisur atë.

“Me datën 07.02.2024 në orët e pasdites në Stacioni Policor në Gjakovë janë raportuar dhe iniciuar pesë raste të ndara për vjedhje të veturave: një në fshatin Cermjan dhe katër të tjerat në qytetin e Gjakovës. Veturat e vjedhura kanë qenë tre Golf II, një Ford Fokus dhe një Golf V. Bazuar në të dhënat e pranuara nga ankuesit e rasteve të raportuara, veturat kanë qenë të parkuara, ndërsa çelësat e tyre (në të gjitha rastet) i kishin lënë brenda tyre.

Njësitet kompetente në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, menjëherë ju kanë përgjigjur rasteve dhe pas një pune intensive operative dhe hetimore kanë arritur t’i gjejnë, të braktisura, pesë veturat e raportuara të vjedhura.

Puna operative dhe hetimore ka vazhduar në drejtim të identifikimit dhe arrestimi të të dyshuarve të përfshirë në rastet e raportuara, kështu që rreth orës 02:20 të datës 08.02.2024, janë identifikuar dy të dyshuar. Të njëjtit dyshohet se fillimisht kanë shkaktuar vetë-aksident me njërën nga veturat e vjedhura dhe pastaj e kanë braktisur atë”, thuhet në njoftim,

Dy të dyshuarit janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin dhe me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  Pronari i ELKOS, Ramiz Kelmendi kërkon që paga minimale të bëhet 700 euro!