Vetura nga Kosova, magazinë armësh në portin e Durrësit – qëndroi 3 vjet në kontejner pa u hapur
Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka zbuluar një sasi të konsiderueshme armësh dhe municioni të fshehura në një automjet të ardhur nga Kosova, me destinacion përfundimtar Republikën Demokratike të Kongos.
Automjeti tip Land Rover ishte pjesë e një tranziti doganor dhe kishte hyrë në territorin shqiptar më 20 dhjetor 2022, përmes Pikës Kufitare në Morinë. Që nga ajo kohë, kontejneri ku ndodhej automjeti kishte mbetur i mbyllur në sheshin e kontejnerëve në port, pasi askush nuk ishte paraqitur për të kryer procedurat doganore.
Pas më shumë se një viti e gjysmë, më 4 qershor 2025, autoritetet doganore të Durrësit vendosën ta hapin dhe kontrollojnë kontejnerin.
Gjatë kontrollit fizik, Policia gjeti në brendësi të automjetit një arsenal të vërtetë armësh: Dy armë automatike, një armë pistoletë, 1580 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, 12 krehra për armë automatike dhe pistoletë.
Hetimet e kryera nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe Policia Kufitare çuan në identifikimin e një të dyshuari. Në kërkim tashmë është shpallur shtetasi kosovar Y. I., 24 vjeç, i dyshuar për posedim dhe trafikim të armëve dhe municioneve.