Hajnat në Pejë thyejnë muret e barnatorës dhe avullojnë barna në vlerë të 10 mijë euro dhe 500€ cash

Një fenomen mjaft shqetësues në Kosovë janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër biznese të ndryshme, që po shkaktojnë  humbje e pasiguri. Hajnat po bëjnë kërdi, here të vetëm e here në grup duke arritur që pavarësisht kohës të vjedhin e të grabitin gjësende me vlerë e para të gatshmë.

Kështu e ka pësuar edhe barnatorja “Salihaj” në rrugën “Hasan Prishtina” në Pejë, ku persona akoma të panjohur kanë arritur që duke e thyer murin të depërtojnë brena dhe të kryejnë vjedhje të rëndë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se sipas informacioneve të para, bazuar në dëshminë e pronarit të barnatores, hajnat kanë marre barna në vlere të rreth 10 mijë eurove, si dhe mbi 500 euro para të gatshme.

Me plan të detajuar, për t’i fshehur provat që mund t’i nxjerrin zbuluar, ata kanë vjedhur edhe pajisjen për incizimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë.

Sinjali mëson se pronari i barnatores ka dhënë deshminë e tij lidhur me rastin, ndërkohë që si rezultat i denoncimit, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Pas përfundimit të ekzaminimeve të nevojshme dhe procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe nisjen e hetimeve për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.

 

Lexo edhe:  Po kërkohej nga policia, arrestohet një 40 vjeçar në Ferizaj