Vëllai i viktimës zbulon detaje: Çarje, mavijosje dhe britmat e Agon Zejnullahut

Detaje të tjera tronditëse ka zbuluar Alban Zejnullahu, vëllai i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu i cili dyshohet se vdiq në duart e policisë në Lipjan.

Ai tha se Agoni kishte shenja të mëdha të dhunës e çarje në trup.

“Vëllai kishte shenja të mëdha të dhunës sikur të ishte rrahur pandërprerë për disa orë edhe pse ndoshta ishin pak minuta por kishte maviosje në gjithë trupin, çarje të vetullës. Nuk e kisha të qartë se si ka mundur të dhunohej të atë mënyrë një qytetar. Pa marrë parasysh edhe pse nuk kemi pranu raport prej kërkujt, pa marrë parasysh rrethanat nuk e di si lejohet në një shtet demokratik të dhunohet një person ashtu”.

Ndonëse nuk ka raport se viktima ishte nën ndikim të alkoolit, vëllai shpreh shqetësimin se cili nen i ligjit e lejon dhunën e policëve.

“Nuk kemi ndonjë raport a diçka që ka qenë në ndikim të alkoolit, por edhe të ishte, kisha pas qejf prej policëve me dit cili nen i ligjit e lejon dhunës nëse është një person i dehur e pastaj vrasjen në fund”.

Ai paralajmëron edhe publikimin e disa pamjeve të reja ku shfaqet momenti i vrasjes së vëllait të tij nga dhuna e përdorur nga policët.

“Sot në mbrëmje do ta sigurojmë një pamje ekskluzive të paparë ndonjëherë nga momenti i dhunës deri tek momenti kur fillojnë britmat e vëllait duke tentu që ti thotë ndal se më mbytët dhe nga aty nuk lëviz më dhe policia mundohen ti hedhin ujë dhe ta shtyjnë njeri-tjetrin se çka ka bë. E kemi atë pamje në orët e vona dhe do ta shfaqim patjetër”, tha ai në Klan Kosova.

Lexo edhe:  Moti gjatë javës së ardhshme

Rasti i vdekjes së Agon Zejnullahut po hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

Të dyshuarit janë: Ibrahim Nela – Rreshter në Stacionin Policor Lipjan – DRP Prishtinë, Artidon Konxheli – Zyrtar në SP Lipjan, Liridon Rrahmani – Zyrtar në SP Lipjan, Albian Ratkoceri – Zyrtar në SP Lipjan, Endrit Beqiri – Zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj – DRP Ferizaj.