Vëllai i Fitore Pacollit ‘shpërthen keq’ ndaj ambasadës gjermane: Palaço patetikë, e keni shkatërruar vendin tuaj

Pas publikimit të raportit të organizatës “Reporterët pa Kufij”, ku Kosova ka shënuar rënie të theksuar për 24 pozita në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit, reagimet nuk kanë munguar – përfshirë edhe një përgjigje fyese ndaj ambasadës së Gjermanisë nga Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së VV-së, Fitore Pacolli.

Ambasada gjermane në Kosovë, në një reagim publik, shprehu shqetësim për pozicionimin e Kosovës në këtë raport, duke theksuar se vendi është renditur më poshtë se Serbia në aspektin e lirisë së shprehjes.

“Kosova ka rënë për gjithsej 24 vende në indeksin e fundit për lirinë e shprehjes të organizatës ‘Reporterët pa Kufij’, duke u vendosur krejt në fund në krahasim rajonal – madje prapa Serbisë,” shkroi ambasada gjermane.

“Raporti lexohet si libër detyrash për qeverinë e re, duke i përvijuar qartazi hapat e nevojshëm për të siguruar shtyp të lirë, i cili është thelbësor për secilën demokraci kumbuese dhe të qëndrueshme,” thuhet më tej në reagimin e ambasadës.

Ky qëndrim duket se ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Fitim Pacollit, i cili komentoi në postimin e ambasadës me gjuhë fyese dhe përçmuese, duke hedhur poshtë vlerësimin e raportit.

“Marrëzi e shtrembëruar, kjo renditje nuk do të thotë asgjë. Është një paradë palaçosh,” shkroi ai në anglisht në hapësirën e komenteve.

Komentet e Pacollit morën një kthesë të menjëhershme, duke u zhvendosur nga raporti për Kosovën te akuzat ndaj vetë Gjermanisë, me pretendime për shtypje të lirisë së fjalës në atë vend.

“Gjermania e ka shkatërruar vendin e vet, ju jeni duke zbatuar kamera për regjistrimin e fytyrës të stilit kinez, duke arrestuar qytetarë për të ashtuquajturat postime ‘raciste’ në Facebook dhe ju doni të na tregoni neve se liria e shtypit ka rënë në Kosovë. Palaço patetikë,” përfundoi ai.

Lexo edhe:  Babain e pati krahë për krahë me Albin Kurtin, tani Lumbardh Salihu pjesë e LDK-së së Abdixhikut