Vdiq profesori i njohur, Byrhan Dida

Ka vdekur në moshën 85-vjeçare farmacisti, profesori, Byrhan Dida.

Lajmi është bërë i ditur nga Oda e Farmacistëve të Kosovës.

Dida ishte doktor i shkencave dhe specialist i biokimisë klinike.

Dida Fakultetin e Famakologji – Biokimisë e kreu në Zagreb në vitin 1965, ndërsa punimet pasdiplomike i vijoi në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb ku më 1973 mbrojti temën e magjistraturës.

Ai kreu doktoratën në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në vitin 1977, ndërsa më vonë specializoi në biokimi në Houston të SHBA-së dhe më vonë ishte zgjedhur profesor i kësaj lënde në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Për disa vite kishte qenë edhe koordinator i Degës së Farmacisë në Fakultetin e Mjekësisë.

“Prof Dr.Byrhan Dida do të mbahet mend për merita të veçanta si një nga përkrahësit e fuqishëm për hapjen e degës së farmacisë të Fakultetit të Mjekësisë në vitin 1996 dhe që gjatë tërë kohës ka luftuar për ngritjen dhe zhvillimin e profesionit”, thuhet nga Oda e Farmacistëve.

Lexo edhe:  Kamioni i ngarkuar me miell përfundon në oborrin e një shtëpie në Pejë