Vdes mjeku i njohur nga Ferizaji

Ka ndërruar jetë mjeku ferizajas, specialisti i mjekësisë familjare, Dr. Ylber Murati.

Kjo u bë e ditur nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu i cili postoi një telegram ngushëllimi në rrjetet sociale.

Aliu thotë se Ferizaji ka humbur një mjek të shkëlqyr, teksa bëri me dije se Murati ishte drejtues i shumë qendrave shëndetësore.

POSTIMI I PLOTË:

TELEGRAM NGUSHËLLIMI

Lajm i rëndë, nga ne u nda përgjithmonë, mjeku i dashur, specialisti i mjekësisë familjare, drejtuesi i qendrave shëndetësore, trajneri energjiplotë i shkencave mjekësore, bashkëqytetari ynë, Dr. Ylber Murati.

Ferizaj dhe shëndetësia janë në zi. Nga ne u nda, duke na dhënë përgjithmonë lamtumirën, një kuadër i çmuar shëndetësor, i palodhur në misionin e tij fisnik e human, energjiplotë e pozitiv edhe në ditët kur sëmundja e sfidoi egërsisht, u nda nga ne prindi shembullor e qytetari i dalluar ferizajas, urtaku që bardhësinë e shpirtit e shkriu në veprën e tij humane. Sot, Ferizaj është më i varfër, pa mjekun e dashur nga ferizajasit e më gjerë.

Lamtumirë miku im i çmuar, Dr. Ylber Murati!

Ngushëllime të sinqerta familjes së respektuar Murati, kolegëve nga komuniteti shëndetësor, miqve e të njohurve të të ndjerit.

U prehtë në paqe e parajsën e pakufishme, shpirti i tij i bardhë!

Lexo edhe:  Nesër nuk mbahet mësim në disa shkolla të Kosovës