Vdekja e dyshimtë e gruas në Dragash, 67-vjeçarja ishte viktimë e dhunës nga kunata dhe nipi
Mbrëmë u raportua për një rast mjaft të rëndë që ka ndodhur të hënën në fshatin Kuk të Dragashit, ku ka vdekur një grua e cila që një kohë ishte viktimë e dhunës në familje. Gruaja 67-vjeçare ndërroi jete mëngjesin e djeshëm dhe vdekja e saj u konstatua nga mjeku kujdestar.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë të ditur se dyshimet mbi vdekjen e saj u ngritën për shkak të rasteve të dhunës që ishin raportuar më parë, gjë që alarmoi Policinë. Me rastin e kontrollit, në trupin e gruas ka pasur shenja të dhunës dhe kjo bëri që Prokurori i Shtetit të urdhërojë nisjen e hetimeve.
Sinjali mëson se viktima ka jetuar në shtëpinë e vëllait ku dyshohet se ka përjetuar dhunë nga bashkëshortja e tij dhe nipi, ndaj të cilëve javën e kaluar është ngritur aktakuzë për dhunë në familje.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, teksa në lidhje me rastin janë intervistuar anëtarët e familjes, të cilët kanë dëshmuar para hetuesve policorë.
Ky rast është iniciuar si vdekje e dyshimtë dhe pas nisjes së hetimeve do të zbardhen rrethanat e vdekjes se gruas 67-vjeçare.