Vazhdon ‘lulëzimi’ i parave false, zbulohen edhe dy raste në Prishtinë
Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro, raporton Gazeta Sinjali.
Dy raste të tilla janë zbuluar në pikën e bankës ‘TEB’ në rrugën ‘Robert Doll’, ku janë detektuar rreth 2 mijë monedha metalike nga 2 euro, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara.
Sinjali mëson se pos monedhave 2-she, janë sekuestruar edhe kartëmonedha nga 100, 20, 10 dhe 5 euro.
Paratë janë konfiskuar për ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të prokurorit janë iniciuar dy raste të ndara për veprën penale ‘Falsifikimi i parasë’.
Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.
Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.