Vajza 15-vjeçare në Prizren u ngacmua për muaj me radhë nga një person, e përcjellte në rrugë dhe i linte mesazhe

Dhuna seksuale vitet e fundit në Kosovë është rritur në masë të madhe dhe viktimat janë kryesisht vajzat e mitura. Rasti i dhunimit të 11-vjeçares për më shumë se një vit ka tronditur vendin. Trajtimi jo i duhur i këtij rasti ka nxitur reagime se drejtësia ka dështuar. Ky fenomen shpesh ka bërë që vajzat të mos i denoncojnë rastet në momentet që ngacmohen e sulmohen seksualisht.

Kështu ka ndodhur edhe me një vajzë 15-vjeçare nga Prizreni, e cila bashkë me nënën e saj ia ka mësyrë Policisë gjatë ditës së djeshme, për të raportuar një rast të ngacmimit. Sinjali mëson se e mitura është ngacmuar për muaj me radhë nga një person i moshës 21-vjeçare, i cili tashmë është arrestuar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë në Polici, i dyshuari E.G., që gati 6 muaj po e përcjellë vajzën në kohën kur ajo ndodhet jashtë shtëpisë. Për të mos mbaruar me kaq, ai dyshohet se e ka shqetësuar atë edhe në rrjete sociale, duke i shkruar në vazhdimësi.

Rasti për herë të parë dyshohet se ka nisur në muajin mars, por tek tash vajza ka marrë guximin që ta njoftojë fillimisht familjen, e më pas të raportohet rasti në Polici.

Për shkak të shqetësimit që ia ka krijuar vajzës, familja ka kërkuar ndihmë nga Policia, para se të bijës së tyre t’i ndodhë diçka më e keqe.

Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar dhe ka arrestuar personin e dyshuar, i cili tashmë ndodhet në Qendrën e Mbajtjes.

Prokurori i Shtetit ka marrë vendimin për inicimin rastit si “ngacmim” dhe caktimin e masës së ndalimit për 48 orë.

Lexo edhe:  Ish-dhëndrri plagosi vjehrrin në Dragash, detaje se si erdhi te ngjarja