U vazhdohet paraburgimi tre serbëve të dyshuar për sulmin në Banjskë

Gykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke ua vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj tre të dyshuarve Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, për sulmim terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.
Kjo u konfirmua nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Milinda Gashi, e cila tha se kjo masë të dyshuarve iu ka vazhduar deri më 24 shkurt 2024.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë  Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve D.M, B.S dhe V.T, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e PSRK-së dhe tre të pandehurve iu ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin. Masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 24.12.2023 deri me datë 24.02.2024″, konfirmoi Gashi.

Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq gjenden nën masën e paraburgimit nga data 26 shtator 2023.

Lexo edhe:  Përleshje në Mitrovicë, sulmohet me mjete të forta një 50-vjeçar – dërgohet në gjendje të rëndë në QKUK