U nis për në shkollë dhe nuk u kthye, gjendet vajza 12 vjeçare e zhdukur në Pejë
Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme një familje në Pejë, që raportuan se vajza e tyre 12-vjeçare, kishte dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë, por nuk është kthyer më.
Raportimi i rastit aktivizoi njësitë policore, që u vunë në lëvizje dhe të hënën vonë e kanë gjetur të miturën.
Sinjali mëson se gjendja e saj shëndetësore është e mirë dhe akoma nuk dihen rrethanat e rastit.
Vajza është kthyer në shtëpinë e saj, teksa për detajet e rastit është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.