As koeficienti i ri nuk i ndal infermierët – Për çdo ditë nga një braktis Kosovën

Pavarësisht rritjes së pagave në sektorin publik, infermierët po vazhdojnë të ikin nga Kosova.

Koeficienti i ri i pagave i miratuar nga Qeveria Kurti nuk ka arritur të ulë numrin e infermierëve që lënë vendin. Vetëm për një muaj e nëntë ditë, 45 infermierët kosovarë kanë ikur nga vendi për kushte dhe paga më të mira.

Vetëm gjatë muajit janar të 2023 nga vendi janë larguar 36 infermierë kurse që nga data 1 shkurt deri me datën 9 të po këtij muaji, për çdo ditë është larguar nga një infermierë.

Këto shifrat alarmante i ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi kryetari i Odës së Infermiereve të Kosovës, Naser Rrustemaj.

“Prej janarit të këtij viti e deri tani kur po flasim 45 infermierë kanë lënë vendin. Në muajin janar 36 infermierë janë larguar nga vendi kurse nga fillimi i shkurtit deri me tani 9 infermierë kanë vendosur ta lënë Kosovën. Këta infermierë kanë marrë vërtetimin për kodë etik dhe licencë të kualifikuar nga Oda e Infermierëve’, tha Rrustemaj.

 

 

Lexo edhe:  Procedohet në prokurori aksionari i "Prishtina Mall", dyshohet për falsifikim