U kap me armë zjarri dhe narkotikë, ky është 19-vjeçari që u arrestua në Ferizaj

Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Për një rast të tillë është arrestuar dje një person në Ferizaj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 19-vjeçarin, Leon Kurtaliqi.

Kurtaliqi është zbuluar pasi u ndal për kontroll nga një njësi policore që po patrullonte në rrugën ‘Ramadan Rexhepi’ dhe të njëjtit iu gjet një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Siç njoftoi Policia sot përmes një komunikate për media, është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit, ku është gjetur një armë zjarri, marihuanë, mulli për bluarje dhe një pako letra që shërbejnë për mbështjelljen e marihuanës.

“I dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe janë njoftuar njësia për hetimin e narkotikëve, ndërsa pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar është bastisur shtëpia e tij, ku është gjetur një armë zjarri ( pistoletë) me 11 fishekë, ndërsa në oborr janë gjetur edhe dy qese të substancës narkotike me marihuanë, me peshë gjithsej 20.80 gram, dy mulli për bluarje dhe një pako letra për mbështjellje të marihuanës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet për 48 orë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Moti merr kthesën drastike, ja çfarë do të ndodh me temperaturat në fundjavë