Tri ditë nga vrasja te ‘Top’-i: 100 mijë euro shpërblim për kapjen e autorëve, Policia merr disa informacione

Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë që kur policia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve një numër telefoni për të dhënë informacion të vlefshëm për autorët e sulmit ndaj Top Channel, me premtimin e dhënies së 100 mijë eurosh dhe anonimitet të plotë, në këtë numër telefoni raportohet se kanë shkuar disa informacione që po verifikohen nga grupe të veçantë pune.

Punonjësit e policisë po verifikojnë kamera sigurie në Tiranë dhe jo vetëm, si edhe targa makinash që dyshohet se janë përdorur nga autorët.

Pavarësisht këtyre kërkimeve, policia nuk ka në dorë ndonjë të dhënë të besueshme që mund t’i çojë te atentatorët.

Grupi hetimor është i bindur se atentati është i mirëmenduar dhe autorët kanë vëzhguar ambientet e Top Channel për të vepruar në një moment të favorshëm.

I dyshimtë mbetet fakti që autorët zgjodhën të braktisin makinën në autostradë. Me dyshimet se mjeti ka pasur defekt, policia ka nisur verifikimet në shume servise në kryeqytet, Elbasan, Durrës, Krujë dhe qytete të tjera, raporton TCH.

Nga ana tjetër policia po ngushton pistat e hetimit të ngritura ditën e parë të sulmit pasi disa kanë rënë sepse nuk është gjetur asgjë e vlefshme që të mund të çojë hetimin në një tjetër nivel.

Lexo edhe:  E dhimbshme: Ky është i riu nga Istogu që humbi jetën në aksidentin në Skivjan të Gjakovës