Tregti me armë të vjedhur, 4 persona përfundojnë në duart e policisë në Ferizaj

Shitja e paautorizuar e armëve, importi, eksporti dhe transportimi i tyre përbën vepër penale dhe si e tillë sanksionohet me gjobë dhe me burgim. Shpesh ndodh që kosovarët të hyjnë në telashe me shtetin, duke vepruar kundërligjshëm, por që përfundojnë si të dyshuar në Polici. Kështu ka ndodhur edhe me një rast në Ferizaj, ku janë përfshirë katër të rinj, që ia kanë shtiru njëri tjetrit një armë, që njëri prej tyre tentoi ta dërgojë në Maqedoni të Veriut.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se të dyshuarit janë Blend Krasniqi, A.Avdyli. (i mitur), Vleron Mulaki dhe Amir Ismaili.

I dyshuari i parë e ka vjedhur armën nga një veturë që ishte dërguar për pastrim në Autolarjen ku ai punon dhe të njëjtën ia kishte shitur të miturit A.Avdyli për 400 euro. Ky i fundit më pas ia ka shitur atë armë Vleronit për një shumë prej 500 eurosh. Ndërsa në fund, Amiri e ka blerë armën nga Vleroni për 500 euro.

Katër të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor të Ferizajt, ku secili ka dhënë versionin e tij për rastin, se si arma u vodh nga i dyshuari kryesor dhe më pas kaloi nga dora e njërit te tjetri. I dyshuari i fundit që e bleu armën, Amir Ismaili, shtetas i Maqedonisë së Veriut, gjatë dhënies së deklaratës ka bërë të ditur se armën e ka fshehur, me qëllimin për ta dërguar në Maqedoni.

Pas përfundimit të intervisitmit, Policia ka sekuestruar armën, e cila i është kthyer pronarit, teksa ndaj të dyshuarve kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Isha shtatzënë, por e humba fëmijën”, Vesa habit me detajet e reja nga lidhja me Mërgim Berishën