Tmerrohet taksisti në Prishtinë, një person i hyn në veturë dhe tenton të vetëvritet me kallashnikov
Një ngjarje e pazakontë i ka ndodhur mbrëmë një taksisti në Prishtinë gjatë orarit të punës. Brenda veturës së tij nuk ndodhej një pasagjer i zakontë që kërkon të dërgohet në një destinacion të caktuar.
Taksisti u shqetësua kur në veturën e tij e pa një person me kallashnikov i cili dyshohet që po tentonte të kryente vetëvrasje.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria njoftojnë se shoferi i taksit ka njoftuar menjëherë Policinë e Kosovës rreth ngjarjes që ka ndodhur në rrugën “Enver Zymberi” në kryeqytet.
Sipas informacioneve të Sinjalit, personi mbante në duar një armë të kalibrit AK47, me tytë të drejtuar në gjoksin e tij duke kërcënuar kështu se do t’i japë fund jetës së tij.
E për ta shpëtuar personin nga privimi i jetës së tij, Policia ka arritur ta bind që ta dorëzojë armën dhe situata është normalizuar pas sekuestrimit të armës automatike dhe dy karikatorëve.
Dyshohet se personi ishte në gjendje të rëndë psikologjike.
Ndërsa, për shkak të gjendjes psikologjike të personit, është shoqëruar në Klinikën e Psikiatrisë në Prishtinë. Siç mëson Sinjali ai edhe më tutje është duke u trajtuar në repartin e neuropsikiatrisë.