“T’ia rritësh pagën vetes është hajni”/ A po ‘vjedh’ Kurti, me projektligjin e ri paga e tij arrin mbi 2 mijë €

“T’ia rritësh pagën vetes është hajni, është vjedhje”, thoshte në vitin 2018 Albin Kurti, tash kryeministër i Kosovës. Kjo deklaratë edhe shumë të tjera dallojnë me ato që i thotë sot Kurti, nga karrigia e të parit të Qeverisë. Çështja e pagave në sektorin publik është një ndër debatet që ka përfshirë sindikatat e punëtorëve.

Ministria e Punëve të Brendshme e ka proceduar projektligjin për paga në konsultime paraprake, qëllimi i të cilit është përcaktimi dhe rregullimi i sistemit të pagave për të gjithë ata që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Te kryeministri, i cili aktualisht pagën e ka 1.075.25 euro, me projektligjin e ri, nëse vlera monetare e koeficientit do të jetë 120 euro paga rritet në 2.040 euro.

Por, para pesë vitesh, Kurti si kandidat për kryeministër, pati deklaruar se me qeverisjen e partisë së tij nuk do të ketë pagë më të madhe se trefishi i pagës mesatare në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

“Asnjë zyrtar nuk do të ketë pagë më të madhe se sa trefishi i pagës mesatare, as presidenti, e as kryeministri nuk do të ketë pagë mbi 1300 euro”.

Madje ai thoshte se “Nëse politikanët duan rroga më të madhe, le ta rrisin rrogën mesatare ose nëse duan sërish, le të provojnë fatin me biznes”.

Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës për pozitën (nga 1 – 18 sipas projektligjit aktual) me vlerën monetare të koeficientit.

Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.

Projektligji i pagave për sektorin publik, nuk e cakton vlerën e koeficientit. Aty thuhet se ‘vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit’. Raporti i koeficienteve është 1:18.

Lexo edhe:  Dy cisterna me ujë të pijshëm u dërguan në Skenderaj e Mitrovicë

Me projektligjin për pagat e shërbyesve civilë, koeficienti më i lartë, 18, i takon vetëm presidentit të Kosovës.

Paga aktuale e presidentes është 2.743 euro. Me projektligjin e ri, nëse vlera monetare e koeficientit është 120 euro, atëherë kjo pagë zbritet dhe është 2.160 euro.

Niveli i koeficientit 17.5 i takon kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Paga aktuale për këtë pozitë është 3.574 euro. Me projektligjin e ri me vlerë të koeficientit 120 euro, paga zbritet dhe atë në 2.100 euro.

Koeficienti 17 i takon kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe kryeministrit.

Projektligji duhet të kalojë procedurat e konsultimeve paraprake dhe publike, si dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ky projektligj hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë veta.

Paga mesatare bruto për vitin 2021, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 484 euro.