Thyen veturën dhe vjedhin mbi 8 mijë euro mall – kapen në Mitrovicë duke e shitur, një i ndaluar

Një rast i vjedhjes së rëndë është zbuluar në Vushtrri, ku një grup personash kanë thyer një veturë dhe kanë marrë mall në vlerë mbi 8 mijë euro, ndërsa më pas janë kapur në Mitrovicë duke tentuar ta shesin.

Ngjarja është raportuar më 22 prill 2026 në rrugën “Ana Lin”, ku ankuesi E. K. ka deklaruar se persona të panjohur i kanë thyer xhamin e veturës dhe i kanë vjedhur një sasi të madhe cigare elektronike dhe mallra të tjera.

Sipas tij, dëmi i shkaktuar arrin në rreth 8300 euro.

Pas veprimeve operative, policia ka siguruar informacione se në Mitrovicë po tentohej shitja e mallit të vjedhur. Në koordinim me njësitë policore në jug të Mitrovicës, rreth orës 15:30 janë ndaluar katër të dyshuar: Ermal Selani, si dhe tre të mitur me inicialet S.I., T.Xh. dhe J.S. (2009).

Gjatë kontrollit në automjetin e tyre është gjetur një sasi e cigareve elektronike, të cilat janë identifikuar nga ankuesi si pjesë e mallit të vjedhur.

Mallrat e sekuestruara i janë kthyer pronarit, megjithatë ai ka deklaruar se bëhet fjalë vetëm për një pjesë të mallit dhe jo për të gjithë sasinë e vjedhur.

Me urdhër të Prokurorisë për të Mitur, i dyshuari S.I. është ndaluar për 24 orë për veprën “Vjedhje e rëndë”, ndërsa dy të miturit e tjerë dhe Ermal Selani janë liruar në procedurë të rregullt për veprën “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Rasti është nën hetime.

Lexo edhe:  Lajm i rëndë: Vdes 20 vjeçari nga Mitrovica, Dren Abdullahu