Tentim vrasje, rrahje, detyrim e zjarrvënie: Emrat e katër të arrestuarve për veprimtari kriminale

Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për goditjen e një grupi kriminal që dyshohet se ka vepruar në Rajonin e Prishtinës, por edhe më gjerë.

Aksioni i zhvilluar nga Policia e Kosovës, rezultoi me kapjen e katër anëtarëve që dyshohen të jenë përfshirë në veprimtari kriminale. Hetimi i Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka zbuluar aktivitetet e kundërligjshme për të cilat dyshohen katër të arrestuarit, duke përfshirë tentim vrasje, rrahje, detyrim e raste të tjera.

Por kush janë katër personat që ranë në prangat e Policisë gjatë këtij aksioni?

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se anëtarët e këtij grupi kriminal të arrestuar janë: Driton Sylejmani, Hyseni Hoxha, Xhevdet Mehanja dhe Tefik Shalaku, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.


Anëtarët e këtij grupi kriminal janë kapur gjatë ditës së djeshme gjatë aksionit të zhvilluar nga Policia në disa lokacione në Rajonin e Prishtinës, në asistim me Njësinë Speciale dhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se katër personat e arrestuar gjatë ditës së djeshme dyshohen për kryerjen e disa veprave penale si: Vrasje e rëndë në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, lëndim i rëndë trupor, zjarrvënie, privim i kundërligjshëm nga liria, detyrim, posedim i paautorizuar i armëve e vepra të tjera.

Përveç arrestimeve, të njëjtat burime thonë se gjatë kontrolleve që janë kryer nga ana e Policisë janë sekuestruar së paku gjashtë armë, dy vetura, disa telefona e mjete të forta, që do të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë.

Katër personat e arrestuar që dyshohen se janë përfshirë në aktivitete të kundërligjshme pas shoqërimit në stacion policor, janë intervistuar dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor pritet të merren veprimet e tjera.

Lexo edhe:  Reduktime të energjisë elektrike në këto vende