Tentim-grabitja në filialen e Finca-s në Prizren: Policia bastis shtëpinë e të dyshuarit që ndodhet ende në arrati

Gazeta Sinjali ka raportuar ditë më parë për një tentim-grabitje në filialen e “Finca-s” në Prizren. Policia është vënë në lëvizje për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, por akoma nuk kanë arritur të bien në gjurmët e tij.

Gjatë konfrontimit fizik në mes të të dyshuarit dhe punëtorit fizik, fal të cilit u parandalua grabitja e armatosur, të dyshuarit i kishin rënë çelësat e veturës.

Zyrtarët policor menjëherë kishin filluar kërkimin e veturës dhe pas pak kohe ishte arritur të gjendet vetura të cilën dyshohet se e kishte perdorur  i dyshuari.

Hetuesit rajonal pas verifikimit të veturës dhe marrjen e informacioneve  të tjera kanë siguruar adresën e personit të dyshuar ku më pas kanë bastisur shtëpinë e tij.

Gjatë bastisjes, hetuesit policor kishin gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale, të cilat mund të lidhin të dyshuarin me rastin e parë të grabitjes.

Në anën tjetër, lidhur me rastin e grabitjes, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të vazhdojnë hetimet për të mbledhur prova deri në identifikimin e personit të dyshuar dhe arrestimin e tij.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Në një deklarim për Sinjalin, Bytyqi ka njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 16:05 në filialen e një institucioni makrofinanciar në lagjen Bazhdarhane në Prizren.

Sipas Policisë, një person i maskuar dhe i armatosur ka tentuar që të grabisë filialen, duke u konfrontuar me punëtorin e sigurimit, por që i njëjti nuk ka arritur që të kryej grabitje.

Ndër të tjerash, Shaqiri shton se i armatosuri në pamundësi t’ia arrijë qëllimit ka ikur në drejtim të panjohur dhe se Policia është duke punuar në identifikimin e të dyshuarit.

Kujtojmë që një grabitje në po filialen e njëjtë ndodhi rreth tre muaj më parë, ku Gazeta Sinjali kishte raportuar se një person i maskuar kishte arritur që nën kërcënimin e armës t’i kap 10 mijë euro dhe më pas ishte zhdukur.

Lexo edhe:  Drejtori i Policisë viziton familjen e Bunjakut