Tenderi 5 mln euro, shpërblehet kompania që furnizoi Njësinë Speciale me ushqime pa afat

Beni Dona Plast Sh.P.K është shpallur fituese e llotit të parë të tenderit për shërbime me ushqim për Policinë e Kosovës, ndonëse kompania ndodhet nën hetime mbi dyshimet për furnizim të ushqimeve me afat të skaduar për policët specialë vitin e kaluar.

Të martën, Zyra e Prokurimit në Policinë e Kosovës e ka shpallur kompaninë Beni Dona Plas Sh.P.K. fituese të llotit të parë, e cila ka çmim të poentuar 36.26 euro, bazuar në njoftimin për dhënie kontrate të publikuar në e-prokurimi.

Dy oferta ishin dorëzuar në polici për tenderin “Shërbime me ushqim (furnizim, përgatitje dhe servim) për nevoja të PK-së”. Oferta e kompanisë Beni Dona Plast Sh.P.K. është përzgjedhur fituese në bazë të tenderit të përgjegjshëm me çmim më të ulët.

 


Gati një vit më parë, kompania Beni Dona Plast ishte denoncuar nga Policia e Kosovës për shërbim të ushqimit me afat të skaduar për zyrtarët e Njësisë Speciale të Policisë.

Ngjarja kishte ndodhur më 5 shtator të këtij viti.

Dyshimet për shërbimin e ushqimit me afat të skaduar për pjesëtarët e Njësisë Elite të Policisë së Kosovës i kishte raportuar Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të datës 6 shtator, 2022.

Sipas raportit zyrtar të policisë, një aksion i bastisjes në kampin e Njësitit Special të Policisë në Mitrovicë, kishte ngjarë në ditën e denoncimit të rastit.

“Ankuesit kanë njoftuar se nga operatori i kontraktuar janë sjellë produkte me afat të skaduar. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore kanë dalë edhe inspektorët e AUVK-ut dhe, sipas ekzaminimeve të tyre, ushqimet nuk ruheshin sipas standardeve të parapara. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhej në raportin e Policisë.

Lexo edhe:  Rrahje mes disa nxënëseve në Deçan, bashkëmoshatarët i shikojnë si “spektatorë”

Beni Dona Plast Sh.P.K. është pronë e afaristit Ragip Mustafa.

Veprimtaria e Mustafës shtrihet edhe në fushën e ndërtimit të objekteve banesore. Për disa vjet, ai ka zotëruar edhe aksione në Klubin e Futbollit “Prishtina”